Festina: Nuk e kisha menduar kurrë që do të ngjitesha në një skenë të tillë!

Postuar më:
Ajo është një nga zërat më të veçantë të edicionit të parë të X Factor Albania. E superkomentuar, me interpretime që kanë pasur numrin më të madh të klikimeve në youtube, e pëlqyer edhe për stilin e saj, Festina Mejzini, adoleshentja nga Gjakova ka rrëmbyer zemrën e gjithë shqiptarëve. Ndërsa gara sa vjen e bëhet më e fortë ambiciet si për çdo konkurrent rriten. E ndërsa Festina aspiron finale, me zor prêt edhe të interpretojë këngët e saj të preferuara. Po si ka qenë jeta e saj përpara se të bëhej pjesë e këtij evenimenti muzikor? Si po e përjeton ajo pjesëmarrjen në X Factor? Të gjitha këto do t’I zbuloni në këtë intervistë për suplementin Koha Tjetër me Festina Mejzinin! Festina si po shkon për ty “X Factor Albania”? Mirë. Gjithçka është në rregull deri më tani. Çdo të diel je ngjitur në një skenë madhështore, e kishe menduar veten tënde më parë kështu? Skenën e kam pas synim, “X Factor” e kam përcjell në vendet e tjera dhe asnjëherë nuk e kam menduar që do të organizohet “X Factor Albania” dhe unë do jem pjesë e këtij spektali! Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde tashmë? Si ka qenë në Gjakovë e përditshmja jote? Çfarë të mungon më shumë nga Gjakova? Tani vërej mjaft ndryshim kur dal në rrugë dhe shumë njerëz më përgëzojnë për suksesin, më kërkojnë të bëj një foto me ta. Kjo është pak e çuditshme, pasi nuk e kisha menduar ndonjëherë. Në Gjakovë zakonisht si nxënese gjimnazi prioritet ishte shkolla, më pas ndonjë argëtimi me shokët e shkollës, ndonjë pije në kohën e lirë. Fundjavat zakonisht me familjen i kemi kaluar në Shqipëri. Jemi të lidhur shumë me Shqipërinë, madje kemi edhe një pjesë të familjes pasi gjyshja ime e ndjerë ka qenë Gjakovare, por ka lindur dhe ka jetuar për një kohë në Kuksin e vjetër. Sa herë që vijmë këtu kemi një ndjenjë të bukur. Nga Gjakova më mungon kuptohet familja pastaj shoqëria. Ju jeni marrë me basketboll, madje skuadra ku ke luajtur ka ardhur dhe ju ka ndjekur edhe ‘live’ në spektakël. Na trego diçka më tepër rreth këtij hobi tuaji dhe çfarë emocioni ndjeve kur ata bënin tifo për ty? Po unë jam marrë me basketboll për disa vite. Jam ndjerë mjaft krenare kur kam dëgjuar që ata dëshironin të vinin dhe të më përkrahin në këtë spektalël. Normal që më kanë dhënë një arsye më shumë që unë të jap edhe më shumë për nder të tyre. Prindërit e tu si e kanë përjetuar pjesëmarrjen në “X Factor”? Prindërit më kanë përkrahur që nga fillimi kur jam paraqitur në përzgjedhje në Prishtinë e aktualisht ata vazhdimisht vijnë në çdo performancë. Ata janë shumë të lumtur që unë kam arritur këtë sukses dhe kam vazhduar traditën familjare, të cilën e përcolli tek unë gjyshi im Mazllom Mejzini këngëtar, kompozitor dhe instrumentist i njohur në viset shqiptare dhe më gjerë. Ke qenë gjatë kësaj kohe në Gjakovë? Si kanë qenë reagimet atje për ty? Po kam qenë dy herë dhe reagimet kanë qenë madhështore, në çdo moment më ndalnin njerëzit në rrugë duke më përgëzuar dhe duke më inkurajuar për të vazhduar këtë rrugë, dhe më përgëzonin jo vetëm gjeneratat e reja por edhe njerëzit e vjetër, pasi Gjakova gjithnjë ka qenë vend i kulturës, dhe pse disi në kohën e pas Luftës ka ngel anash, nuk e di pse por Gjakovarët janë shumë artëdashës. Gjakova ka dhënë shumë për kulturën. Ke qenë ndër këngëtarët më të klikuara në Youtube nga java në javë. Ju përkëdhel ky fakt dhe sa pranë finales e ndjeni veten? Sigurisht që më përkëdhel por edhe më jep më shumë përgjegjësi që në këngën e radhës të jem në nivelin e duhur dhe mos t’i zhgënjej fansat e mi. Keni thënë se Amy Winehouse është këngëtarja juaj e preferuar. Po në Shqipëri kë pëlqeni më shumë? Në Shqipëri ka shumë këngëtarë të mirë, është vështirë të veçoj ndonjërin. Më shumë preferoj këngëtarët që kanë zëra karakteristikë, se këngëtarët që kanë zëra të fuqishëm. Ky është tipi i këngëtarit që preferoj pa dashur të permend emra. Çfarë do të donit të realizonit në muzikë? Çfarë aspironi? Së pari do dëshiroja të fokusohem në “X Factor” dhe aty të vazhdoj me seriozitet punën. Pastaj të shohim se si do rrjedhin gjërat. Deri më tani në garën e “X Factor”, cili ka qenë momenti më emocionues për ty? E kam thënë edhe më parë, momenti më emocionues ka qenë kur gjatë konkurrimit tim me këngën e parë më është kërkuar të këndoj edhe një këngë dhe unë kam kënduar këngën e kompozuar nga gjyshi im “Një ditë të bukur kur të pash” dhe nga emocionet jam përlotur dhe nuk kam mundur ta vazhdoj këngën! Mund të na zbuloni çfarë do të këndoni këtë javë dhe cila është kënga që me zor po e prisni ta interpretoni në “X Factor”? Këtë javë do kam dëshirë të jetë surprizë për fansat e mi një këngë hit, por në një aranxhim tjetër, të cilën e kemi punuar enkas për këtë natë. Besoj që do t’i pëlqejë publikut. Kurse ëmbëlsira gjithmonë ruhet për në fund e atë edhe me kërkesën e shumë fansave që më kërkojnë çdo ditë, në vazhdim kam ruajtur këngët e mia të preferuara, nga Amy dhe Adele këshu dhe besoj që do arrij t’i plotësoj dëshirat tyre. kuptohet nëse do kem përkrahjen e tyre si deri më tani.

Të ngjashme